Një libër për t’u shoqëruar me... aromë

Çdo lexues ka zakonet e tij: dikush lexon në qetësi të plotë, dikush me muzikë, dikush vetëm para se të flejë, ama ka edhe nga ata që përqendrohen në vende të rrëmujshme. Gjithsesi, e rëndësishme është që libri të të rrëmbejë dhe, me sa duket, kjo qenka më e lehtë kur ke të ndezur një qiri. Nisur nga kjo, ka njerëz që kanë filluar të krijojnë qirinj enkas, sipas librit apo zakoneve të leximit. Për shembull, nëse të pëlqen të lexosh kur bie shi me gjyma dhe jashtë ka diell, mund të ndezësh qiriun Ditë me shi, që risjell aromën e ditëve të freskëta me shi falë xhenxhefilit e livandës. Kush do të zhytet në atmosferën e një biblioteke antike, ndërsa është në divanin e tij, mund të provojë Librarinë e magjepsur me aromë vanilje, pergamene, mjalti dhe kokrrash kafeje.

Por, qirinjtë më të famshëm për libra janë Libra të vjetër, me aromë lëkure, myshku, vaniljeje dhe druri të vjetruar dhe Humbur mes rafteve, me aromë mogani e lisi, kripur me pak esencë lëkure e letre të vjetër. 

Ka edhe qirinj që kanë specifikisht emra librash dhe sjellin atmosferën e tyre: Krenari e paragjykim me aromë zymbylash, jargavanësh e trëndafilash apo Gjueti fronesh me aromën e bredhit, pishës dhe mështeknës.  

Për më sqimatarët ka edhe qirinj që rikujtojnë njerëz e epoka, si uiski e duhan llulle për Heminguejin apo xhin e lule të egra, për Gatsbin e madhërishëm dhe epokën e xhazit të viteve ’20.

  

Në fakt, kujtesa e aromës, është një nga kujtesat më të forta të njeriut, ndaj një libër “që kalon nga hunda”, zor se mund ta harrosh më dhe e ke fare kollaj të kujtosh gjendjen që të ka krijuar, duke ndezur një qiri.