Portokalli mekanik – 20 fakte për Enthëni Bërxhësin

Enthëni Bërxhësi (Anthony Burgess) njihet më së shumti për romanin e tij distopik, futurist e tmerrësisht të dhunshëm, shkruar në vitin 1962, “Portokalli mekanik“. Libri e mori statusin e kultit kur Stenli Kubriku e përshtati në film, në vitin 1971. Megjithatë, ai libër përbën një pjesëz fare të vogël të Enthëni Bërxhësit.

Gjatë Luftës Civile Spanjolle, Enthëni Bërxhësi u arrestua dhe u fut në burg, sepse e quajti Frankon “derr  i fëlliqur”!

Ai e urrente filmin që bëri me librin e tij Stenli Kubriku dhe doli nga premiera pa përfunduar, duke thënë se ishte tmerrësisht i dhunshëm.

Emri i tij i vërtetë është Xhon Uilson (John Wilson). Enthëni ishte emri i pagëzimit dhe Bërxhës ishte mbiemri i vajzërisë së të ëmës.

Ai fliste 10 gjuhë: frëngjisht, rumanisht, gjermanisht, rusisht, malezisht, spanjisht, italisht, japonisht, gjuhën e Uellsit, kinezisht, suedisht, pak hebraisht dhe disa të tjera përziptazi.

Kjo gjë e ndihmoi kur jetonte në Spanjë, Maltë, Gjibraltar, Monako, Francë, Zvicër, Itali, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Malajzi.

Bërxhësi humbi të ëmën dhe të motrën në moshë të re dhe u rrit me një njerkë mizore e të pashpirt.

Gjatë gjithë fëmijërisë u dhunua dhe përvoja e parë seksuale ishte abuzimi që bëri me të një grua në moshë.

Për të kaluar këto trauma, Bërxhësi iu kushtua muzikës, që ishte shpëtimi i tij.

Ai i njihte mirë e i studionte Xhojsin, Marloun e Shekspirin dhe ka shkruar libra për të tre këta.

Bërxhësi filloi të shkruante relativisht vonë, në moshën 40-vjeçare, pasi u diagnostikua me tumor vdekjeprurës në tru dhe nuk i dhanë më shumë se një vit jetë.

Te “Portokalli mekanik” Bërxhësi sajoi një gjuhë të re bazuar në gjuhët sllave.

Ai ishte shumë punëtor e i motivuar dhe shpesh shkruante më shumë se një libër njëkohësisht, ndërsa mbrëmjeve kompozonte muzikë për t’u çlodhur.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore punoi në një çmendinë, ku thuhet se e kanë detyruar të shikonte një autopsi.

Bërxhësi e kishte zakon të bënte deklarata të forta publike, me të vetmin motiv që të trondiste të tjerët. Njëherë shtypi femëror i dha çmimin e derrit më shovinist të vitit.

Por në jetën e përditshme ishte bujar e besnik edhe me ata që nuk e meritonin dhe miqtë thoshin se ishte i thjeshtw e guximtar.

Ishte kuzhinier i shkëlqyer dhe sajonte lloj-lloj salcash me erëza.

Edhe pse famën ia dha “Portokalli mekanik”, Enthëni Bërxhësi ka shkruar 35 romane, shumë librete e skenarë, madje ishte edhe kritik letrar.

Për herë të dytë, në moshën 76-vjeçare, i thanë se kishte vetëm një vit jetë dhe këtë herë e humbi betejën me kancerin në mushkëri.

Burimi: forreadingaddicts.co.uk  3 Prill 2020