Klasë pa mure: epoka e harruar e shkollave në ajër të hapur

Blog

Klasë pa mure: epoka e harruar e shkollave në ajër të hapur

2021-04-06 00:00:00 3 min lexim 0

Kjo fotografi bardhezi më del përpara syve herë pas here në internet dhe në të përmblidhen gjithë dëshirat për arsimin që do të doja të kisha pasur. Fotografia është bërë më 1957 në Holandë, ku shkollat në ajër të hapur ishin shumë popullore në atë kohë. Ideja e një klase al fresco vjen krejt natyrshëm, kur e lejon edhe moti, por, fatkeqësisht, shumica e shkollave tradicionale në perëndim sot nuk e theksojnë fort dobinë e mësimit jashtë katër mureve.

Vendosa ta hulumtoja pak më thellë rreth kësaj fotografie, për të parë se mos gjeja shembuj të tjerë të shkollave në ajër të hapur, të cilat mund të më ndihmonin për të kuptuar zanafillën e tyre. Teksa dielli rrëshqet në mënyrë joshëse mbi tryezën time, duke më nxitur t’ia mbath prej zyrës, kjo është thirrje për edukatorët dhe mësuesit tanë: hapini dritaret, lërini cicërimat e zogjve të hyjnë brenda, futeni pranverën në klasë...

Kur shkolla, literalisht, kishte marrë rrugët...

Në fillim të shek. XX shkollat në ajër të hapur ishin shumë të zakonta në Evropën Veriore, fillimisht të ndërtuara për të parandaluar dhe për të luftuar shpërndarjen e tuberkulozit, sëmundje e cila u shfaq gjatë periudhës para Luftës II Botërore. Shkollat ndërtoheshin duke respektuar konceptin se qëndrimi në ajër të pastër, në vend të ajrosur dhe në mes të natyrës ishin kushtet kryesore që duhej të garantonte ndërtesa.

Kjo ide u përhap shpejt dhe lëvizja për shkollat në vend të hapur u përdorën në dobi të shëndetit të nxënësve, duke i nxitur të gjithë studentët që të qëndronin jashtë mureve të ndërtesës sa më gjatë të ishte e mundur. Gjithçka filloi me krijimin e Waldeschule (që fjalë për fjalë do të thotë “shkolla e pyllit”), e ndërtuar në Charlottenburg, Gjermani, më 1904, e projektuar për t’u krijuar nxënësve sa më shumë kushte për të qëndruar në diell. Orët e mësimit zhvilloheshin në mes të pyllit që rrethonte shkollën, metodë që besohej se i ndihmonte të rinjtë e qytetit për të krijuar pavarësi dhe për të forcuar vetëvlerësimin.

Frymëzuar nga shkollat e pyllit, arsimimi në klasa që ndodheshin në ajër të hapur u huazua në vende të tjera të Evropës dhe më 1937 në gjithë Britaninë funksiononin 96 syresh. Amerika i pati huazuar këto shkolla që herët, duke ndërtuar qysh më 1908 shkollën e parë me klasa në natyrë në Providence, Rhode Island.

Klasë e shkollës në ajër të hapur, Uffculme, Birmingam, Britani e madhe
Shkollë në ajër të hapur në Suresnes, Paris

Të sigurt për efektivitetin e kësaj metode në arsim, lëvizja u organizua më 1922, kohë kur u mblodh i pari Kongres Ndërkombëtar me nismën e Lidhjes për Arsim në Ajër të Hapur.

Ndërtimi i godinave shkollore filloi të ndiqte traditën e “projektit në formë pavijonesh”, i cili në format e brendshme ngjasonte me arkitekturën e përdorur në spitale, me korridore të përshkruar nga dritare të larta në gjatësinë e tyre.

Openluchtschool (shkollë në ajër të hapur) në Amsterdam, ndërtuar nga Johannes Duiker më 1930

Në vitet 1930 klasat mund të shndërroheshin në tarraca të hapura, pasi ishin të pajisura me dyer dhe çati të lëvizshme, si dhe ishin mobiluar me mobilie të lehta, që lëvizeshin lehtësisht. Ky stil i veçantë shkolle mbeti i zakontë deri në vitet 1970. Pas përhapjes së antibiotikëve dhe përmirësimit të kushteve të jetesës në shtëpi, shkollat në ajër të hapur ishin gjithnjë e më pak të nevojshme pas Luftës II Botërore, dhe gradualisht u zhdukën.

Ndoshta vetëm unë ndjej dëshirën për të fluturuar jashtë zyrës sa herë dielli nxjerr kokën mbi qytet gjatë pranverës, gjithsesi, jam dakord që shkollat në ajër të hapur të risillen. Edhe në qofshim tepër vonë për të shijuar të mirat, ku ka mënyrë më të mirë për t’i bërë brezat e rinj entuziastë për të mësuar, se klasat me më pak mure?

Le ta lëmë imagjinatën e tyre të marrë frymë, të vrapojë më larg dhe të kenë ide më të bukura për të ardhmen...

15 Maj 2020  Burimi Messynessy 

Tjetra →
0 Comment(s)

Artikuj të përzgjedhur