Kjo fotografi bardhezi më del përpara syve herë pas here në internet dhe në të përmblidhen gjithë dëshirat për arsimin që do të doja të kisha pasur. Fotografia është bërë më 1957 në Holandë, ku shkollat në ajër të hapur ishin shumë popullore në atë kohë. Ideja e një klase al fresco vjen krejt natyrshëm, kur e lejon edhe moti, por, fatkeqësisht, shumica e shkollave tradicionale në perëndim sot nuk e theksojnë fort dobinë e mësimit jashtë katër mureve.
Vendosa ta hulumtoja pak më thellë rreth kësaj fotografie, për të parë se mos gjeja shembuj të tjerë të shkollave në ajër të hapur, të cilat mund të më ndihmonin për të kuptuar zanafillën e tyre. Teksa dielli rrëshqet në mënyrë joshëse mbi tryezën time, duke më nxitur t’ia mbath prej zyrës, kjo është thirrje për edukatorët dhe mësuesit tanë: hapini dritaret, lërini cicërimat e zogjve të hyjnë brenda, futeni pranverën në klasë...
Kur shkolla, literalisht, kishte marrë rrugët...
Në fillim të shek. XX shkollat në ajër të hapur ishin shumë të zakonta në Evropën Veriore, fillimisht të ndërtuara për të parandaluar dhe për të luftuar shpërndarjen e tuberkulozit, sëmundje e cila u shfaq gjatë periudhës para Luftës II Botërore. Shkollat ndërtoheshin duke respektuar konceptin se qëndrimi në ajër të pastër, në vend të ajrosur dhe në mes të natyrës ishin kushtet kryesore që duhej të garantonte ndërtesa.
Kjo ide u përhap shpejt dhe lëvizja për shkollat në vend të hapur u përdorën në dobi të shëndetit të nxënësve, duke i nxitur të gjithë studentët që të qëndronin jashtë mureve të ndërtesës sa më gjatë të ishte e mundur. Gjithçka filloi me krijimin e Waldeschule (që fjalë për fjalë do të thotë “shkolla e pyllit”), e ndërtuar në Charlottenburg, Gjermani, më 1904, e projektuar për t’u krijuar nxënësve sa më shumë kushte për të qëndruar në diell. Orët e mësimit zhvilloheshin në mes të pyllit që rrethonte shkollën, metodë që besohej se i ndihmonte të rinjtë e qytetit për të krijuar pavarësi dhe për të forcuar vetëvlerësimin.
Frymëzuar nga shkollat e pyllit, arsimimi në klasa që ndodheshin në ajër të hapur u huazua në vende të tjera të Evropës dhe më 1937 në gjithë Britaninë funksiononin 96 syresh. Amerika i pati huazuar këto shkolla që herët, duke ndërtuar qysh më 1908 shkollën e parë me klasa në natyrë në Providence, Rhode Island.
Të sigurt për efektivitetin e kësaj metode në arsim, lëvizja u organizua më 1922, kohë kur u mblodh i pari Kongres Ndërkombëtar me nismën e Lidhjes për Arsim në Ajër të Hapur.
Ndërtimi i godinave shkollore filloi të ndiqte traditën e “projektit në formë pavijonesh”, i cili në format e brendshme ngjasonte me arkitekturën e përdorur në spitale, me korridore të përshkruar nga dritare të larta në gjatësinë e tyre.
Openluchtschool (shkollë në ajër të hapur) në Amsterdam, ndërtuar nga Johannes Duiker më 1930
Në vitet 1930 klasat mund të shndërroheshin në tarraca të hapura, pasi ishin të pajisura me dyer dhe çati të lëvizshme, si dhe ishin mobiluar me mobilie të lehta, që lëvizeshin lehtësisht. Ky stil i veçantë shkolle mbeti i zakontë deri në vitet 1970. Pas përhapjes së antibiotikëve dhe përmirësimit të kushteve të jetesës në shtëpi, shkollat në ajër të hapur ishin gjithnjë e më pak të nevojshme pas Luftës II Botërore, dhe gradualisht u zhdukën.
Ndoshta vetëm unë ndjej dëshirën për të fluturuar jashtë zyrës sa herë dielli nxjerr kokën mbi qytet gjatë pranverës, gjithsesi, jam dakord që shkollat në ajër të hapur të risillen. Edhe në qofshim tepër vonë për të shijuar të mirat, ku ka mënyrë më të mirë për t’i bërë brezat e rinj entuziastë për të mësuar, se klasat me më pak mure?
Le ta lëmë imagjinatën e tyre të marrë frymë, të vrapojë më larg dhe të kenë ide më të bukura për të ardhmen...
15 Maj 2020 Burimi Messynessy
Nga Jessie Gaynor
Dihet që librat janë melhem për këto kohëra të tmerrshme, por, ndërsa rriten shitjet për librat me tematikë të murtajës, kuptojmë se njerëzit duan të lexojnë libra që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me kohën që jetojnë. Me pak ndihmë, çdo libër mund ta kthejmë në libër për virusin Korona. Pra, ja dhjetë fjalitë e para të disa romaneve klasike, përshtatur për distancimin social.
Zonja Dallouej
Zonja Dallouej tha se lulet do t'i blinte vetë. Pastaj iu kujtua se luleshitësi ishte mbyllur. Po edhe që festa ishte anuluar. Më në fund, ja ku gjeti pak kohë të pushonte e të mendohej se kë duhej të zgjidhte për t’u martuar.
Rruga e mjellmës
Kisha kohë që bija herët në shtrat. Nuk ndieja lodhje. Dukej sikur diçka më thoshte: ej, e di që kështu kalohet më mirë koha?
Midëllmarçi
Zonjusha Bruk kishte atë soj bukurie që duket sikur bie në sy prej streçeve e pulovrit, që nuk i kishte hequr nga trupi këto pesë ditët e fundit.
Shënime nga shtëpia e të vdekurve
Jam njeri i sëmurë. Jam njeri i lig... Jam nga ata njerëzit që do të shkoja te McSorley’s të festoja ditën e Shën Patrikut!
Kambana e qelqtë
Ishte një pranverë pandemie, diqysh e dehur, pranvera kur anuluan gjithë orgjitë dhe unë nuk e di ç’bëja në Nju Jork.
Getsbi i madh
Në vitet e mia të hershme e të brishta, im atë më dha një këshillë që e tjerr në kokë që asokohe. “Kur të duash të shkosh në një restorant,” më tha, “mos harro që në këtë botë ka njerëz që nuk kanë sistemin imunitar që ke ti”.
Mobi Diku
Më thirr në FaceTime, Ishmael.
Hobiti
Në një vrimë në tokë jetonte një hobit. Ai kishte në plan të rrinte aty gjer në një afat që nuk dihej, që të mos e vinte në rrezik jetën e personelit mjekësor.
Xhejn Ar
Edhe mund të shëtisnim atë ditë, po të rrinim nga një metër e gjysmë larg me të tjerët që shkonin rrugës.
Krenari dhe paragjykim
Dihet botërisht se një beqar me goxha pasuri, duhet të dalë të mbledhë rezerva letre higjienike.
Burimi: lithub.com 1 Prill 2020
Enthëni Bërxhësi (Anthony Burgess) njihet më së shumti për romanin e tij distopik, futurist e tmerrësisht të dhunshëm, shkruar në vitin 1962, “Portokalli mekanik“. Libri e mori statusin e kultit kur Stenli Kubriku e përshtati në film, në vitin 1971. Megjithatë, ai libër përbën një pjesëz fare të vogël të Enthëni Bërxhësit.
Gjatë Luftës Civile Spanjolle, Enthëni Bërxhësi u arrestua dhe u fut në burg, sepse e quajti Frankon “derr i fëlliqur”!
Ai e urrente filmin që bëri me librin e tij Stenli Kubriku dhe doli nga premiera pa përfunduar, duke thënë se ishte tmerrësisht i dhunshëm.
Emri i tij i vërtetë është Xhon Uilson (John Wilson). Enthëni ishte emri i pagëzimit dhe Bërxhës ishte mbiemri i vajzërisë së të ëmës.
Ai fliste 10 gjuhë: frëngjisht, rumanisht, gjermanisht, rusisht, malezisht, spanjisht, italisht, japonisht, gjuhën e Uellsit, kinezisht, suedisht, pak hebraisht dhe disa të tjera përziptazi.
Kjo gjë e ndihmoi kur jetonte në Spanjë, Maltë, Gjibraltar, Monako, Francë, Zvicër, Itali, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Malajzi.
Bërxhësi humbi të ëmën dhe të motrën në moshë të re dhe u rrit me një njerkë mizore e të pashpirt.
Gjatë gjithë fëmijërisë u dhunua dhe përvoja e parë seksuale ishte abuzimi që bëri me të një grua në moshë.
Për të kaluar këto trauma, Bërxhësi iu kushtua muzikës, që ishte shpëtimi i tij.
Ai i njihte mirë e i studionte Xhojsin, Marloun e Shekspirin dhe ka shkruar libra për të tre këta.
Bërxhësi filloi të shkruante relativisht vonë, në moshën 40-vjeçare, pasi u diagnostikua me tumor vdekjeprurës në tru dhe nuk i dhanë më shumë se një vit jetë.
Te “Portokalli mekanik” Bërxhësi sajoi një gjuhë të re bazuar në gjuhët sllave.
Ai ishte shumë punëtor e i motivuar dhe shpesh shkruante më shumë se një libër njëkohësisht, ndërsa mbrëmjeve kompozonte muzikë për t’u çlodhur.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore punoi në një çmendinë, ku thuhet se e kanë detyruar të shikonte një autopsi.
Bërxhësi e kishte zakon të bënte deklarata të forta publike, me të vetmin motiv që të trondiste të tjerët. Njëherë shtypi femëror i dha çmimin e derrit më shovinist të vitit.
Por në jetën e përditshme ishte bujar e besnik edhe me ata që nuk e meritonin dhe miqtë thoshin se ishte i thjeshtw e guximtar.
Ishte kuzhinier i shkëlqyer dhe sajonte lloj-lloj salcash me erëza.
Edhe pse famën ia dha “Portokalli mekanik”, Enthëni Bërxhësi ka shkruar 35 romane, shumë librete e skenarë, madje ishte edhe kritik letrar.
Për herë të dytë, në moshën 76-vjeçare, i thanë se kishte vetëm një vit jetë dhe këtë herë e humbi betejën me kancerin në mushkëri.
Burimi: forreadingaddicts.co.uk 3 Prill 2020
See the FAQ page to see if the answer is there. If not, please contact customer service
Tel:+355 67 609 9626