Biblioteka e Librave të Ndaluar
Blog
Biblioteka e Librave të Ndaluar

Më 10 maj të vitit 1933, nazistët vendosën të digjnin librat “kundërgjermanë”, që, sipas tyre, kishin simbole dekadence dhe kalbjeje morale. Librat u mblodhën, u hodhën në një pirg dhe iu vu flaka, për të përhapur frikë. Mirëpo 40 vjet më vonë, gjermani Georg P. Salcman hapi Bibliotekën e Librave të Djegur, me një koleksion të librave ”kundërgjermanë”. Babai i Salcmanit ishte nazist dhe në vitin 1945, kur regjimit të Hitlerit i erdhi fundi, vrau veten. I biri, që e pati të vështirë të mësohej me këtë rrethanë të re, shumë shpejt filloi të shfaqte interes të veçantë për librat dhe në vitin 1976, filloi të mblidhte librat e ndaluar gjatë sistemit nazist. Ai arriti të grumbullonte rreth 12 000 të tillë. Në vitin 2009 ia shiti Universitetit të Augsburgut në Gjermani.
Sot Biblioteka e Librave të Djegur është pjesë e bibliotekës së studimeve gjermane dhe, përgjithësisht, përmban libra të botuar para vitit 1933. Këta libra nazistët nuk donin t’i kishin nëpër këmbë për një mori arsyesh. Shumica ishin të autorëve hebrenj, socialistë ose komunistë, por nuk bënin përjashtim as autorët që, pasi kishin provuar pasojat e Luftës së Parë Botërore, nuk mund të mos flisnin për tmerret e dhimbjen e saj. Nuk duhet harruar që nazistët hodhën mes gjuhëve të zjarrit librat e Remarkut, Ajnshtajnit, Frojdit, Brehtit, Cvajgut, Heses, Hajnes, Kafkës, e sa e sa të tjerëve. Libri i parë i kësaj kategorie, që bleu Salcmani, ishte “Beteja” e Ernest Vaisit, i botuar në vitin 1916. Vaisi ishte një mjek hebre, që emigroi në Paris. Në vitin 1940, kur gjermanët pushtuan Parisin, u hodh nga dritarja, nga frika se mos e shtinin në dorë. Shumë prej autorëve të ndaluar u larguan nga Gjermania naziste në fillim të viteve ‘30, po autorë si Erih Kestneri, që kishte mbetur ende në vendlindje, duhet të kenë përjetuar dhimbje të madhe, kur shihnin se si digjeshin librat e tyre. Kestneri vetë u akuzua për tradhti politike, sepse në një prej vjershave të tij ishte tallur me konceptin e “fyhrerit”.
Salcmani nuk e pati aspak të lehtë ta shiste bibliotekën e tij. Ai druhej se, duke u bërë pjesë e një biblioteke universitare, njerëzit e shkencës do t'i izolonin këta libra dhe se me ta do të merreshin vetëm studiuesit. Por Universiteti i Augsburgut e ka hapur bibliotekën për gjithë të interesuarit.
Burimi: BBC / Mars 2019
Artikuj të përzgjedhur

NËSE NUK GJEN KURRË KOHË PËR TË LEXUAR, ATËHERË PO JUSTIFIKOHESH
Nuk gjen dot kohë të lexosh nja dy faqe? Po si i dilet me gjithë ngarkesat e ditës? Ne po ju japim të paktën dy zgjid...

Rekomandimet e 22 ambasadorëve se cilin libër duhet të lexojmë nga vendi i tyre
Kur nisesh të vizitosh një vend të huaj, do të dish se ku të rrish, çfarë të hash, çfarë të ...

Pse leximi është shumë i rëndësishëm për trurin?
Marc Peyser
Mund të pini vaj peshku, të hani shafran indie, të paguani për kurse gjuhe, revista fj...

Do ta lidhje një libër rreth qafës?
“Lartësitë e stuhishme“, “Gra të vogla“, “Drakula“, “Romeo e Zhuljeta“ vijn&...

Kur gënjen për librat që ke lexuar...
Ju ka rastisur të flitet për libra klasikë dhe të hiqeni se i keni lexuar, sepse ia dini ngjarjet falë filmit të real...

Historia më madhështore që është rrëfyer ndonjëherë
Sipas një anketimi të BBC-së, historia më madhështore që është rrëfyer ndonjëherë, ësht...

Biblioteka e Librave të Ndaluar
Më 10 maj të vitit 1933, nazistët vendosën të digjnin librat “kundërgjermanë”, që, sipas tyre...

Bibliotekat: Aty ku ruhet kujtesa e botës
Po qe se edhe ti, ashtu si Horhe Luis Borhesi, mendon se parajsa është një bibliotekë, atëherë bëhu gati të...