Ja përse fëmijët duhet të mësohen që të lexojnë libra që në moshë të vogël
Në një artikull të kohëve të fundit në Huffington Post renditen të mirat që përfitojnë fëmijët nga zakoni i leximit të librave të ndryshëm.
Shumëllojshmëria
Fëmijët janë krijesa të zakonit. Ashtu siç u pëlqen që të shohin shumë herë të njëjtin film, po ashtu janë të prirur të lexojnë edhe autorin që pëlqejnë më shumë. Por çfarë mund të mësojnë nëse lexojnë vetëm libra të të njëjtit zhanër? A mjafton, vallë, vetëm dëshira që kanë për të lexuar, pasi kjo gjë i ndihmon të zhvillojnë imagjinatën dhe mendimin kritik, si dhe të rrisin aftësitë e tyre të leximit etj.? Kuptohet që dashuria për leximin duhet kultivuar, por, nëse një fëmijë lexon gjithmonë të njëjtin autor ose të njëjtin zhanër, atëherë nuk do të përfitojë aq shumë sa ç’përfiton një fëmijë që lexon lloje të ndryshme librash. Kështu që është shumë e rëndësishme që t’i bindni vogëlushët tuaj të lexojnë libra të ndryshëm, që të kenë më shumë përparësi në të ardhmen. Më poshtë do të njiheni me të mirat që përfitojnë fëmijët nga leximi i librave të shumëllojshëm.
Një larmi e madhe librash zhvillon botën e fëmijës
Nëse do të lexojnë një gamë të gjerë librash, fëmijët do të mund të “takojnë” personazhe dhe stile jete të ndryshme. Kështu, nëse u pëlqen të lexojnë libra me fantazi, këta do t’i ndihmojnë ta zhvillojnë edhe më shumë fantazinë. Ndërkohë, librat ku përshkruhen udhëtime rreth botës, mund t’u ngjallin dëshirën për të udhëtuar dhe për të njohur kultura të tjera. Në këtë mënyrë, fëmijët mund ta njohin më mirë botën përreth.
Nëse lexoni lloje të ndryshme librash, lista e tyre do të jetë e pafundme
Duke lexuar larmi të madhe librash, fëmijëve mund t’u shtohet dashuria për leximin, si edhe motivimi për të lexuar gjithnjë e më shumë.
Librat i shkathtësojnë fëmijët
Te shumë libra për fëmijë, si, për shembull, tek ata që i ndihmojnë të mësojnë alfabetin, shpjegohet se, kur bashkohen, shkronjat formojnë fjalë. Kështu ndodh edhe me leximin. Poezia e rimuar do t’i ndihmojë fëmijët të pasurojnë anën fonetike, pra, do të rritë aftësinë e tyre për të dëgjuar, për të njohur dhe për të ripërdorur tingujt të veçantë në fjalët e folura. Po ashtu, nëse fëmijëve do t’u pëlqejnë librat, pavarësisht nga lloji, mund t’ua përcjellin këtë dashuri e mësim edhe brezave që do të vijnë.
Libra për të përmirësuar gjuhën apo të folurit
Deri tani folëm për disa të mira që u sjell fëmijëve leximi i librave. Por dihet që leximi i një shumëllojshmërie librash i ndihmon ata të pasurojnë fjalorin dhe të njohin struktura të reja sintaksore. Po ashtu, libri ndihmon edhe në përmirësimin e marrëdhënieve ndërvetjake të fëmijës.
Në ç’moshë duhet të njihen fëmijët me leximin?
Që në muajin e gjashtë të jetës, fëmija fillon të ketë interes për librat, mjafton që të jenë plot me figura. Përgjithësisht, përrallat e ilustruara këshillohen në moshën 1-vjeçare. Më pas, me kalimin e viteve, shtoni edhe sasinë, edhe cilësinë e librave!
Lexojini fëmijës suaj!
Mënyra më e mirë për t’i ngjallur e për t’i shtuar fëmijës dashurinë afatgjatë për leximin, është të qëndroni e të lexoni bashkë me të. Kur sheh se sa vëmendje i kushtoni ju leximit, fëmija ndërton aftësi kritike për të lexuar. Përmes këtij veprimi të thjeshtë, ai mëson sesi funksionojnë librat (pra, që ne lexojmë nga e majta në të djathtë, që librat kanë anën e përparme dhe të pasme, fillimin dhe fundin). Po ashtu, përvetëson një fjalor më të pasur nga fjalori i jetës së përditshme. Së fundi, ju e ndihmoni fëmijën të kuptojë mënyrën sesi funksionojnë historitë, veçanërisht nëse diskutoni së bashku për atë që po lexoni, duke iu përshtatur moshës së tij. Të gjitha këto do t’i shërbejnë atij kur truri do të jetë gati të mësojë të lexojë.