Fëmijët që marrin dashuri, japin dashuri kur rriten

Blog

Fëmijët që marrin dashuri, japin dashuri kur rriten

2019-03-17 00:00:00 3 min lexim 0

Gjatë kryerjes së këtij studimi, specialisti i shquar dhe autori i librave psikologjikë "bestseller", Dr. Tim Elmore, ka zbuluar një sërë gabimesh madhore që prindërit i bëjnë shpesh gjatë rritjes së fëmijëve, të cilat mund t'ua zbehin ndjenjën e vetëbesimit që në moshë të njomë dhe t'u kufizojnë mundësitë për t'u bërë të suksesshëm në punë e në jetë.

Për t'ju ndihmuar që të shmangni këto gabime, ne i kemi riprodhuar si më poshtë. Hidhuni një sy.

1. Ne nuk i lëmë fëmijët ta përjetojnë rrezikun

Ne jetojmë në një botë plot me rreziqe në çdo hap. Shqetësimi që kemi për sigurinë e tyre, na e përforcon merakun se mund t’i humbasim fëmijët, ndaj bëjmë ç’është e mundur për t’i mbrojtur. Tekefundit, kjo është detyra jonë, por, ama, në këtë mënyrë, ne ua privojmë mundësinë për ta marrë në sy rrezikun, çka sjell efekt të kundërt. Në Evropë, psikologët kanë vërtetuar se, nëse një fëmijë nuk luan jashtë dhe nuk e lënë kurrsesi të gërvishtë sadopak gjurin, atëherë kur rritet, ai mund të pushtohet shpesh nga fobitë. Prandaj, duhet që fëmijët të rrëzohen nganjëherë për të mësuar se nuk është ndonjë gjë e madhe; edhe adoleshentët mund ta kenë të nevojshme që t’i prishin marrëdhëniet me të dashurën ose me të dashurin, për të vlerësuar kështu pjekurinë emocionale që kërkojnë lidhjet afatgjata. Nëse prindërit e largojnë rrezikun nga jeta e fëmijëve, ka të ngjarë që ata të shfaqin në të ardhmen një arrogancë të theksuar dhe një ndjenjë të ulët vetëbesimi.

2. Ne zgjatim menjëherë dorën e shpëtimit

Të rinjve të brezit të sotëm u mungojnë disa nga aftësitë jetësore që kishin fëmijët 30 vjet më parë, sepse prindërit sulen menjëherë të zgjidhin problemet e fëmijëve. Duke e zgjatur kaq shpejt dorën e shpëtimit dhe duke i llastuar me “ndihmën” që u japim, ne nuk e kuptojmë që ata kanë nevojë të lundrojnë vetë mes vështirësive dhe t’i zgjidhin vetë problemet e tyre. Kjo do të thotë ta mbash nën sqetull fëmijën për një kohë të shkurtër, ndërkohë që, fatkeqësisht, ke shtrembëruar kuptimin e dorës udhëheqëse – pajisjen e të rinjve me mundësinë për t’ia dalë mbanë vetë, pa ndihmë. Shpejt a vonë, fëmijët mësohen me idenë se dikush do t’i nxjerrë nga halli patjetër: “Nëse dështoj ose ndodhem ngushtë, një i rritur do të m’i vërë në vijë punët dhe do të shmangë çdo pasojë të sjelljes sime jo të mirë”. Mirëpo, në të vërtetë, kjo nuk ka të bëjë aspak me mënyrën se si funksionon bota, sepse kështu fëmijët nuk bëhen dot të zotët kur të rriten.

3. Ne entuziazmohemi lehtë

Lëvizja e vetëvlerësimit të personalitetit vetjak nisi të zhvillohej kur njerëzit e lindur në periudhën e Bumit të Lindjeve (pas Luftës II Botërore në SHBA) ishin ende fëmijë, por ajo zuri rrënjë në sistemin shkollor në vitet 1980. Mjaftonte që një i ri të merrte pjesë në një ligë të vogël bejsbolli, që t’i dukej vetja fitimtar. Mendësia “se gjithkush fiton një trofe”, synon t’i bëjë fëmijët të ndihen të veçantë, por nga studimet e sotme del se kjo metodë sjell pasoja të paparashikueshme. Pak nga pak fëmija vë re se askush tjetër përveç mamit dhe babit nuk mendon se ai është i hatashëm. Kështu, fëmijët fillojnë të dyshojnë tek objektiviteti i prindërve; kjo i bën të ndihen mirë për njëfarë kohe, mirëpo është diçka që nuk lidhet fare me realitetin. Nëse ne entuziazmohemi dhe shpërfillim sjelljen e papërshtatshme, fëmijët dalëngadalë mësojnë të mashtrojnë, t’i zmadhojnë gjërat, të gënjejnë dhe t’i shmangen realitetit të vështirë. Ata nuk janë kushtëzuar për t’u përballur me të.

4. Nuk duhet që faji të na pengojë në edukimin e mirë të fëmijës

Nuk është e thënë që fëmija t’ju dojë në çdo minutë. Ai mund t’i kapërcejë zhgënjimet, por nuk do të mundë të kapërcejë efektet e të qenit i llastuar. Ndaj thuajini “jo” ose “jo tani”, dhe lëreni të luftojë vetë për atë që vlerëson realisht dhe për çka ka nevojë në të vërtetë. Si prindër, ne u japim fëmijëve atë që duan, kur meritojnë të shpërblehen, veçanërisht kur është fjala për prindërit me shumë fëmijë. Kur një fëmijë vepron mirë për diçka, na duket e padrejtë që të lëvdojmë dhe të shpërblejmë atë fëmijë e jo një tjetër. Kjo është jorealiste dhe shpërdorim i mundësisë për t’u përforcuar fëmijëve idenë se suksesi varet nga veprimet dhe arritjet tona të mira. Bëni kujdes që të mos i mësoni fëmijët se një notë e mirë në shkollë shpërblehet duke u blerë diçka. Nëse marrëdhëniet tuaja bazohen te shpërblimet materiale, atëherë fëmijët nuk do të përjetojnë as motivim të natyrshëm, as dashuri të pakushtëzuar.

5. Ne nuk ua tregojmë fëmijëve gabimet tona

Adoleshentët e shëndetshëm synojnë t’i shpalosin flatrat dhe ndiejnë nevojën për t’i provuar gjërat vetë në mënyrë të pavarur. Ne, si të rritur, duhet t’i lejojmë, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet t’i ndihmojmë për të lundruar në ato ujëra. Tregojuni ndonjë gabim të ngjashëm që keni bërë në moshën e tyre, në mënyrë të atillë, që kjo t’i ndihmojë të mësojnë të bëjnë zgjedhje të mira. (Mos u flisni për “mësimet e mësuara” që kanë të bëjnë me duhanpirjen, alkoolin, drogat etj.) Gjithashtu, fëmijët duhet të përgatiten se edhe mund të dështojnë dhe të përballen me pasojat e vendimeve të tyre. Tregojuni se si jeni ndier kur keni pasur një përvojë të tillë, cilët faktorë ndikuan në veprimet tuaja dhe çfarë mësimi morët. Edhe pse ne s’jemi të vetmit njerëz që ndikojnë te fëmijët tanë, duhet të jemi medoemos ata që ndikojnë më mirë.

6. Inteligjencën, dhuntinë dhe ndikimin i marrim gabimisht për pjekuri

Inteligjenca shpesh përdoret si njësi matëse për pjekurinë e fëmijës dhe, si rezultat, prindërit mendojnë se një fëmijë inteligjent është i gatshëm të çajë në jetë. Por nuk është kështu. Për shembull, disa sportisë profesionistë apo yje të Hollivudit kanë talent të paimagjinueshëm, por, megjithatë, ngatërrohen në skandale publike. Meqë një dhunti mbizotëron në një aspekt të jetës së fëmijës, nuk është e thënë që të mbisundojë në të gjitha aspektet e tjera. Nuk ka ndonjë “periudhë të artë” përgjegjësie dhe as ndonjë orientues të vërtetuar që tregon se kur duhet ta lini të lirë fëmijën, por, sipas një parimi të shëndoshë, duhet të vëzhgoni fëmijët e tjerë të së njëjtës moshë me fëmijën tuaj. Nëse vini re se ata, ndryshe nga fëmija juaj, mund t’ia dalin vetë, atëherë është mirë që të mos ia jepni pavarësinë edhe për ca kohë.

7. Ne nuk jetësojmë atë që predikojmë

Si prindër, kemi përgjegjësi që ta modelojmë jetën e fëmijëve tanë ashtu si është më mirë për ta. T’i ndihmojmë të jetojnë si njerëz me karakter të formuar dhe të bëhen të besueshëm e të përgjegjshëm për fjalët që thonë dhe për veprimet që bëjnë. Si udhëheqës të familjeve tona, ne duhet të jemi qysh në fillim të sinqertë për ato që themi, përndryshe, gënjeshtrat e thëna qoftë edhe shkarazi, do të ngrenë krye dhe do ta dëmtojnë dalëngadalë karakterin e fëmijës. Tregohuni të kujdesshëm në zgjedhjet e vogla etike që të tjerët mund t’i vënë re, pasi ato i vënë re edhe fëmijët tuaj. Nëse ju, si prindër, nuk u shmangeni rregullave jetësore, fëmijët do ta kuptojnë se veprime të tilla janë të papranueshme edhe për ta. Tregojuni fëmijëve se sa e rëndësishme është që të marrin pjesë vullnetarisht në një projekt shërbimi ose në një grup pune në komunitet, duke u përkushtuar me gjithë shpirt. Lërini njerëzit dhe rrethanat më të mira nga ç’i keni gjetur; fëmijët do t’u kushtojnë vëmendje dhe do të bëjnë po ashtu.

← E mëparshme Tjetra →
0 Comment(s)

Artikuj të përzgjedhur