Kur librat “shkaktonin” sëmundje vdekjeprurëse
Blog
Kur librat “shkaktonin” sëmundje vdekjeprurëse

Më 12 shtator 1895, një banore e Nebraskës, Xhes Alan, vdiq nga tuberkulozi, që, asokohe, në periudhën e ndërrimit të shekujve, nuk ishte ndonjë vdekje e habitshme. Mirëpo, ngaqë ajo punonte si bibliotekare, njerëzit filluan të dyshonin se vdekja i kishte ardhur nga librat. Në të vërtetë, humbja e së ndjerës përkoi me atë që sot njihet si “frika e madhe e librave“. Ky ishte një panik masiv, pasi njerëzit mendonin se mund të merrnin sëmundje vdekjeprurëse nga librat e bibliotekave.
Në këtë periudhë, bibliotekat gëzonin popullaritet të madh dhe po shtoheshin në të gjitha vendet, por paniku u hapi probleme. Njerëzit druheshin se mos merrnin nga librat sëmundje, si: tuberkulozi, lia e dhenve apo fruthi i zi. Frika qe përhapur kaq shumë, saqë, në vitin 1988, akademiku Gerëlld Grinberg rrëmoi e gjeti materiale të mjaftueshme për të shkruar një artikull shkencor, të titulluar “Librat, si bartës të sëmundjeve, 1880-1920”.
Por mendimi se librat mund të ishin përçues sëmundjesh infektive, e kishte një “bazë”. Në atë kohë bibliotekat ishin risi dhe librat qarkullonin dorë më dorë. Kështu, njerëzit merakoseshin e mendonin se, nëse ai që e kishte pasur librin para tyre, kishte qenë i sëmurë, sapo të çelnin faqet, sëmundja do të çlirohej dhe do t'i infektonte. Studiuesi Grinberg zbuloi se atëherë kishte pasur edhe mjekë, që mëtonin se i njihnin librat që shpërndanin sëmundje, madje ky fenomen, u përhap thuajse në të njëjtën kohë edhe në Angli.
Anglia mbërriti deri aty sa, në vitin 1875, nxori një ligj që, pavarësisht se nuk kishte të bënte me librat në veçanti, i ndalonte njerëzit të merrnin hua nga të infektuarit “shtroja gjumi apo sende të tjera”. Mirëpo, në vitin 1907, ligji u përditësua posaçërisht për librat dhe, nëse një bibliotekar dyshonte se dikush ishte i sëmurë, nuk i jepte libra dhe as i merrte librin, që duhej të dorëzonte. Po të mos i bindeshe ligjit, gjoba shkonte deri në 40 shilinga, që sot janë thuajse 200 dollarë.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Angli e Gjermani, u ngrit një furtunë e vërtetë në gotë me mënyra sterilizimi të faqeve të librave, raste të rreme studimore sëmundjesh e vdekjesh nga librat apo eksperimente me derra e majmunë e libra të infektuar. Kuptohet që shtypi e shtoi panikun, duke ngjallur një frikë të palogjikshme e të skajshme ndaj librit, aq sa librat që dukeshin si të dyshimtë e me gjurmë infektimi, i digjnin, pa hyrë në biblioteka. Megjithatë, pas disa vitesh, njerëzit u ndalën dhe filluan të kërkonin se sa të bazuara ishin arsyet që sollën këtë panik, i cili mezi u venit në vitet ‘40.
Burimi i informacionit, 14 Tetor 2019
https://www.smithsonianmag.com
Artikuj të përzgjedhur

Kështu e kishe përfytyruar?
Mes ushqimit dhe letërsisë ka pasur gjithmonë një lidhje të fortë dhe këtë marrëdhënie nuk na e d...

Një këshillë e dhimbshme prindërimi nga Kahlil Gibrani
Një shekull më parë, ngecur mes dy botëve e dy luftërave botërore, poeti, piktori dhe filozofi libanezo-amerikan, Kah...

Kur librat “shkaktonin” sëmundje vdekjeprurëse
Më 12 shtator 1895, një banore e Nebraskës, Xhes Alan, vdiq nga tuberkulozi, që, asokohe, në periudhën e ndërrim...

Vjeshta plot frymëzim e shkrimtarëve të mëdhenj
A e dini që vjeshta, ashtu si dikur, edhe sot, frymëzon shumë shkrimtarë të njohur? Ajo zë një vend aq të r...

Çfarë thonë librat për burrat e gratë
Duke përdorur një model të ri kompjuterik, shkencëtarët gjetën dhe analizuan epitetet që përshkruanin grat&...

10 FAKTE INTERESANTE PËR LIBRAT
E ku ka më mirë se të rehatohesh me një libër të mirë. Librat gjithmonë na përfshijnë n...

FRIGOBOOK: NË ROMË, FRIGORIFERËT E HEDHUR NË RRUGË KTHEHEN NË BIBLIOTEKA TË VOGLA
Në jug të Romës, në lagjen Vitinia, riciklimi dhe dashuria për librin shkojnë krah për krah. Kështu ...

BIBLIOTEKË NËN UJË, HËM...
Dy hotele në Kej Uest, SHBA, janë kthyer në parajsën e atyre që u pëlqen të lexojnë libra. Kur rrini...