Rekomandimet e 22 ambasadorëve se cilin libër duhet të lexojmë nga vendi i tyre

Blog

Rekomandimet e 22 ambasadorëve se cilin libër duhet të lexojmë nga vendi i tyre

2019-07-15 00:00:00 3 min lexim 0

Kur nisesh të vizitosh një vend të huaj, do të dish se ku të rrish, çfarë të hash, çfarë të shikosh, po edhe çfarë kulture ka vendi që po viziton. Njerëzit pas aplikacionit Babbel vendosën të pyesnin ambasadorët e akredituar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të zbuluar se cili është libri që duhet të lexojë dikush, para se të vizitojë një vend për herë të parë dhe përgjigjet janë shumë interesante.

“Duhantorja” është libri që sugjeron ambasadori austriak. Ngjarjet ndodhin në vitin 1937, pak para pushtimit gjerman. Libri ndjek 17 vjeçarin Franc, që shkon të jetojë në Vjenë, për të filluar punë si çirak në një duhantore.

Ambasadori i Azerbajxhanit rekomandon “Aliu dhe Nino”, shkruar në vitin 1937 nga Kurban Saidi, që tregon për historinë e dashurisë mes një djali mysliman nga Azerbajxhani dhe një vajze të krishterë nga Gjeorgjia, në kryeqytetin Baku, nga vitet 1918-1920.

“Luftë e terpentinë” është libri i sugjeruar nga ambasadori belg dhe tregon historinë e tri brezave belgë, në trashëgiminë e Luftës së Parë Botërore, me piktorët e jashtëzakonshëm të Belgjikës. Sipas ambasadorit, ky libër është shoqëruesi i duhur për ata që duan të shijojnë artin e historinë, ndërsa udhëtojnë nëpër Belgjikë.

“Thesaret e Dragoit Gjëmues: një portret i Butanit” është libri që veçon ambasadori i këtij vendi. Shkruar nga Madhëria e Saj, Nëna Mbretëreshë Ashi Dori Uangmo Uangçuk, ky libër është një ditar personal, ndërthurur me folklor, që portretizon mbretërinë himalajane.

Ambasadori kanadez sugjeron “Me besim e dashamirësi: 150 vjet miqësi kanadezo-amerikane”, mbledhur nga Artur Millnes. Sipas ambasadorit është një përmbledhje e bukur fjalimesh, fotosh dhe esesh të kryeministrave e presidentëve, që rrëfejnë historinë e përbashkët mes dy vendeve.

“Shtëpia e shpirtrave”, një libër aq i dashur edhe për shqiptarët sugjerohet nga ambasadori kilian dhe rrëfen historinë e një pronari tokash e të bijës së tij, që përfshihet në trazirat shoqërore e politike të Kilit të viteve ’70.

Edhe libri i sugjeruar nga ambasadori kolumbian është mjaft i njohur për lexuesin shqiptar: “100 vjet vetmi”, që Gabriel Garsia Markezi e shkroi në vitin 1967 dhe përmes tij rrëfen historinë e disa brezave të familjes Buendia.

Ambasadori i Danimarkës sugjeron “Shqisa e Smilës për dëborën”, një roman artistik me mistere, që ndodhin në Kopenhagë dhe prek tema si kultura daneze përkundër asaj grenlandeze, mes të cilave   problemet e gjuhës e identitetit mes tyre.

Ambasadori estonez zgjedh “Ai që fliste gjarpërisht”, që është një hulumtim alternativ i historisë, nga një autor bashkëkohor mjaft popullor në Estoni.

Seria e librave me Muminë është sugjerimi i ambasadorit finlandez. Kjo seri u shkrua fillimisht si përralla për fëmijë, por natyra filozofike e këtyre librave është universale dhe i shijojnë kujtdo moshe dhe kategorie. Muminët miqësorë e të shpenguar lexohen me shumë kënaqësi dhe janë padyshim pjesë e fëmijërisë së çdo finlandezi.

“Çiku” është një libër për dy djem 14-vjeçarë, që ndihen të përjashtuar, ku njëri vjen nga një familje borgjeze, tjetri është një rus i riatdhesuar. Ata “marrin hua” një makinë, për të bërë një udhëtim të pazakontë, ku lidhin një miqësi të çuditshme. Ky është libri i sugjeruar nga ambasadori gjerman.

Ambasadori grek rekomandon për lexuesit “Liri e vdekje” të Niko Kazanzaqit. Botuar në vitin 1953, romani rrëfen për kryengritjen e banorëve të Kretës kundër Perandorisë Osmane, në vitin 1889.

Nga Islanda, ambasadori i këtij vendi zgjedh “Të pavarurit”, që rrëfen historinë e bariut Gubjartur Jonson dhe betejën e tij për të ruajtur pavarësinë.

Ambasadori indian zgjodhi “Liri në mesnatë” të vitit 1975, që përshkruan ngjarjet rreth pavarësisë së Indisë dhe ndarjes më 1947-1948, duke filluar me emërimin e Lordit Mauntbatën të Burmës dhe duke u mbyllur me vdekjen e Mahatma Gandit.

Nga Irlanda vjen sugjerimi për “TransAtlantik”, që tregon një ndërthurje historish mes pasagjerëve të parë të linjës transatlantike pa ndalesë, në vitin 1919; vizitën e Frederik Dagllas në Irlandë në vitet 1845-1846 dhe historinë e procesit irlandez të paqes në vitin 1998.

Ambasadori xhamajkan zgjedh një autore poezish: “Poemat e përzgjedhura” të Luis Bene, që shkruan me humor në dialektin xhamajkan dhe të bën të shikosh gjer thellë në kulturën e këtij dhe se ç’do të thotë të jesh banor i Xhamajkës.

Rekomandimi i ambasadorit maltez është “Në emër të atit (dhe të birit)” të Imanuel Mifsudit, që  tregon historinë e një djali, që  lexon ditarin që mbante i ati gjatë shërbimit ushtarak në Luftën e Dytë Botërore dhe kjo e bën të rivlerësojë marrëdhënien e tij me të atin.

“Kalëruesja e balenave” është libri i Uiti Ihimaerës, që këshillon ambasadori i Zelandës së Re. Shkruar në vitin 1987, ai tregon historinë e Kahusë, që zhvillon aftësinë e të komunikuarit me balenat.

Seria e Herri Houlit është rekomandimi i ambasadorit norvegjez. Kjo seri flet për anti-heroin Herri, një hetues policor i përkushtuar, por me këmbë të ngulura mirë në tokë.

Ambasadori slloven zgjedh librin, që Drago Jançar shkroi në vitin 2010: “E pashë atë natë”, i cili hulumton zhdukjen e një borgjezeje të re në Lubjanë, gjatë një periudhe të trazuar historike.

“Sipas nordikëve” është një antologji esesh, mbledhur nga Debra Kagan dhe përfaqëson më së miri të 5 vendet nordike. Ky libër është përzgjedhur nga ambasadori norvegjez, sepse përshkruan jetën në veri nga pesë këndvështrime të ndryshme.

Dhe për ta mbyllur, ambasadori i Britanisë së Madhe, sugjeron “Shlyerja” e Ian MekIvën, ngjarjet e të cilit shtrihen në tri periudha: Anglia e vitit 1935; Lufta e Dytë Botërore dhe ndërrimi i shekujve. Ngjarjet ngrihen mbi gënjeshtrën gjysmë të pafajshme të një 13-vjeçareje, që shkatërron jetë e familje. Flet për dashurinë, luftën, thonjtë e së shkuarës mbi të tashmen, ndërsa kalon nga historia e Anglisë dhe pasojat e saj mbi njerëzit.

← E mëparshme Tjetra →
0 Comment(s)

Artikuj të përzgjedhur