Kujdesi për trurin
Blog
Kujdesi për trurin

Për shekuj me radhë, për të vënë në gjumë foshnjat, kemi përdorur teknika pa pasur asnjë lloj ideje mbi efektet e mundshme afatgjata të tyre në zhvillimin e trurit të fëmijës. Kjo ndodhte sepse, deri më tani, e kishim të pamundur të shihnim efektin që mund të kishin veprimet tona në trurin e fëmijës. Gjithsesi, tashmë e dimë që mënyra e komunikimit të prindërve me fëmijët mund te ketë efekte afatgjata në funksionet e trurit, si dhe në balancën kimike në tru.
Mënyra e përkujdesjes ndikon shumë në zhvillimin e trurit emocional të foshnjës
Ju, si prindër, keni ndikim të madh në zhvillimin e trurit emocional dhe kjo ndodh sepse në vitet e para të jetës ka disa periudha të rëndësishme të zhvillimit të trurit. Gjatë kësaj kohe, truri i foshnjës fillon të formojë trakte (shtigje) të reja nervore me një ritëm të shpejtë. Në fakt, 90% e zhvillimit të trurit të njeriut ndodh në pesë vitet e para të jetës. Në këtë periudhë, në tru krijohen miliona lidhje të reja, të cilat më pas shprishen e formohen sërish nën ndikimin e drejtpërdrejtë të përvojës jetësore të vetë fëmijës e, në veçanti, të përvojës së tij emocionale me ju.
Lidhja prind-fëmijë
Gjithçka që foshnja përjeton me ju, farkëton trakte të reja nervore në pjesën e sipërme të trurit (në lobin ballor). Truri i njeriut është projektuar për të krijuar lidhje, që i përshtaten mjedisit ku gjendet. Kjo përshtatshmëri vepron në të mirë, por edhe kundër mirëqenies së fëmijës. Për shembull, nëse fëmija ka një prind arrogant, truri i tij zë e përshtatet me jetën e një bote arrogante, çka mund të çojë në vigjilencë të tepruar, në egërsi ose reagime me frikë, në rritje të impulseve sulmuese/mbrojtëse në pjesën zvarranike të trurit të tij. Ndërsa nga një përkujdesje emocionalisht e përgjegjshme, në trurin e fëmijës do të krijohen lidhje thelbësore, çka do ta ndihmojnë që ta përballojë mirë stresin në jetë; po ashtu, do të të krijojë marrëdhënie që i japin kënaqësi, do të administrojë zemërimin, do të ndjejë dhembshuri, do të ketë motivimin për të realizuar ëndrrat, do të provojë qetësi të thellë e do të jetë në gjendje të dashurojë në paqe. Pra, mënyra sesi e dëgjoni fëmijën, si luani me të, si e përkëdhelni, si e qetësoni dhe si e trajtoni kur sillet keq, janë vërtet të rëndësishme.
Ju jeni rregullatorë të emocioneve të fëmijës
Kur në trurin e fëmijës ngacmohen sistemet e alarmit, ju jeni i vetmi shpëtimtar që mund ta ndihmoni të rregullojë gjendjen e eksitimit të lartë emocional e fizik. Ai e ka të pamundur t’i administrojë vetë këto gjendje. Nëse fëmija është duke qarë dhe askush nuk merret me të, dihet që në fund do të pushojë, por, duke u mbyllur dëshpërimisht në vetvete, gjë që njihet si veçim (“ngrirja”, pjesë e reagimit lufto-mbathja-ngri). Kjo dukuri nuk duhet ngatërruar me qetësinë. Çaste të tilla qetësie dhe heshtjeje prodhojnë hormone të stresit në nivele shumë më të larta sesa kur foshnja qan. Duke mos e ditur këtë, shumë prindër përdorin ende teknikën “lëre të qajë derisa ta zërë gjumi”, si dhe ndërhyrje të tjera që shkaktojnë stres. Përkujdesi emocionalisht i përgjegjshëm e ndihmon fëmijën të krijojë në tru sisteme efektive rregullatore për stresin. Teksa e qetësoni, në trurin e fëmijës formohen trakte të posaçme nervore që e qetësojnë stresin në mënyrë të natyrshme. Nëse e bëni këtë ditë mbas dite, atëherë po e ndihmoni atë që të formojë sisteme rregullatore për stresin, të cilat janë thelbësore për IQ-në e tij (koeficientin e inteligjencës) dhe IE-në (inteligjencën emocionale), si dhe për të pasur sukses në punë e në marrëdhëniet personale në të ardhmen.
marrë nga libri “Gjithçka që duhet të dinë prindërit”
Artikuj të përzgjedhur

Kështu e kishe përfytyruar?
Mes ushqimit dhe letërsisë ka pasur gjithmonë një lidhje të fortë dhe këtë marrëdhënie nuk na e d...

Një këshillë e dhimbshme prindërimi nga Kahlil Gibrani
Një shekull më parë, ngecur mes dy botëve e dy luftërave botërore, poeti, piktori dhe filozofi libanezo-amerikan, Kah...

Kur librat “shkaktonin” sëmundje vdekjeprurëse
Më 12 shtator 1895, një banore e Nebraskës, Xhes Alan, vdiq nga tuberkulozi, që, asokohe, në periudhën e ndërrim...

Vjeshta plot frymëzim e shkrimtarëve të mëdhenj
A e dini që vjeshta, ashtu si dikur, edhe sot, frymëzon shumë shkrimtarë të njohur? Ajo zë një vend aq të r...

Çfarë thonë librat për burrat e gratë
Duke përdorur një model të ri kompjuterik, shkencëtarët gjetën dhe analizuan epitetet që përshkruanin grat&...

10 FAKTE INTERESANTE PËR LIBRAT
E ku ka më mirë se të rehatohesh me një libër të mirë. Librat gjithmonë na përfshijnë n...

FRIGOBOOK: NË ROMË, FRIGORIFERËT E HEDHUR NË RRUGË KTHEHEN NË BIBLIOTEKA TË VOGLA
Në jug të Romës, në lagjen Vitinia, riciklimi dhe dashuria për librin shkojnë krah për krah. Kështu ...

BIBLIOTEKË NËN UJË, HËM...
Dy hotele në Kej Uest, SHBA, janë kthyer në parajsën e atyre që u pëlqen të lexojnë libra. Kur rrini...