Po ti, e do apo e urren Lizën?
Blog
Po ti, e do apo e urren Lizën?

Nuk e mbaj mend moshën kur e kam lexuar "Lizën në botën e çudirave", por kam ende para syve çastin kur e tërhoqa nga biblioteka dhe vendin ku po e lexoja, më saktë, se si ishte drita që binte gjatë leximit. Gjatë gjithë këtyre viteve kam gjetur njerëz që sillen ndaj Lizës, ashtu si ndaj U2: ose e duan me shpirt, ose e urrejnë. Njerëz në mes skajeve nuk kam gjetur ende, por vazhdoj të kërkoj.
Unë bëj pjesë në kategorinë e dytë. Liza më ka kallur datën, prej saj kujtoj përjetime të tmerrshme. Më dukej si një ëndërr e keqe, prej së cilës nuk zgjohesha dot ose zgjohesha pasi isha sfilitur emocionalisht. Liza ose rritej e rritej, ose zvogëlohej e zvogëlohej, ose binte pafundësisht, ose takonte një foshnjë me turi derri, që i hidhnin piper në hundë, ose një mi që e fusnin në ibrikun e çajit me zor (ndjesë nëse ka pasaktësi, po unë jam drejt fundit të të tridhjetave dhe ende nuk guxoj ta prek librin me dorë e ta lexoj sërish). Vite më vonë do t'i kuptoja dhe do t'u jepja formë këtyre përjetimeve, kur do të lexoja se Kerëll ishte përdorues i drogërave, ama unë ende nuk e kam marrë veten nga rrethanat ,ku ngatërrohej Liza dhe sa e pashpresë ishte ndonjëherë të ndihmonte veten.
Kujtoj me dashuri nga libri macen Qeshire dhe sidomos Larvën Blu, si spiranca pas së cilës Liza kapej dhe i jepte sërish njëfarë ekuilibri këtij realiteti krejtësisht të shformuar.
Mbase po ta kisha lexuar në një moshë pak më të rritur për herë të parë, do ta kisha parë ndryshe dhe nuk do të më kishte munduar kaq shumë, por druaj se rrokullisjet në ekstazën e endshme a të ankthshme që provonte Kerëlli, edhe unë i kam përjetuar njëjtë me të dhe sinqerisht, nuk ia kisha për borxh një autori, që përmes një libri, të më fuste në gjendje të pavetëdijshme të mendjes, të cilat mund të rezultojnë fort turbulluese për një të rritur, le pastaj për një fëmijë. Në këtë pikë, ia ka dalë me mjeshtëri të përshkruajë ca gjendje të pazakonta... po mbase për këto arsye "Liza në botën e çudirave" nuk duhet quajtur një libër për fëmijë?
Megjithatë, edhe pse ende nuk e lexoj dot librin sërish, pavarësisht dëshirës së mirë për ta bërë këtë, do të doja t'i shtrëngoja dorën Ljuisit. Një tjetër personazh që më trembte pa masë tek Liza, ishte Mbretëresha, që i vinte ushtarët me pahir t'i lyenin trëndafilat me të kuq a me të bardhë, sipas trilleve të saj dhe nëse nuk ia dilnin mbanë me sukses, ajo u priste kokat në vend! Në fëmjërinë time, që na dukej e lumtur në thjeshtësinë e vet varfanjake, Mbretëreshën e kishim mes nesh, i vinte njerëzit të prishnin kisha e xhami e të ndërtonin bunkerë dhe u shkonte koka e familja për hiçmosgjë.
Me atë personazh, "Liza në botën e çudirave" lidhte padashje realitetin tonë tmerrshëm me një botë të tërë fantazie. Unë atëherë s'e kuptoja dot, s'e kuptova për vite të tëra, por një ditë lidhja doli nga e pandërgjegjshmja dhe më trokiti në derën e mendjes, si për të më kujtuar se edhe përballë satrapëve më të mëdhenj, letërsia do të hapë gjithmonë një derë realiteti paralel, të paktën sa për të të shpëtuar mendtë e kokës!
P.S. Ditën që do të guxoj ta lexoj Lizën sërish, do të shkruaj mbi rileximin e saj, për këtë jap fjalën!
nga Vramendja
Artikuj të përzgjedhur

Kështu e kishe përfytyruar?
Mes ushqimit dhe letërsisë ka pasur gjithmonë një lidhje të fortë dhe këtë marrëdhënie nuk na e d...

Një këshillë e dhimbshme prindërimi nga Kahlil Gibrani
Një shekull më parë, ngecur mes dy botëve e dy luftërave botërore, poeti, piktori dhe filozofi libanezo-amerikan, Kah...

Kur librat “shkaktonin” sëmundje vdekjeprurëse
Më 12 shtator 1895, një banore e Nebraskës, Xhes Alan, vdiq nga tuberkulozi, që, asokohe, në periudhën e ndërrim...

Vjeshta plot frymëzim e shkrimtarëve të mëdhenj
A e dini që vjeshta, ashtu si dikur, edhe sot, frymëzon shumë shkrimtarë të njohur? Ajo zë një vend aq të r...

Çfarë thonë librat për burrat e gratë
Duke përdorur një model të ri kompjuterik, shkencëtarët gjetën dhe analizuan epitetet që përshkruanin grat&...

10 FAKTE INTERESANTE PËR LIBRAT
E ku ka më mirë se të rehatohesh me një libër të mirë. Librat gjithmonë na përfshijnë n...

FRIGOBOOK: NË ROMË, FRIGORIFERËT E HEDHUR NË RRUGË KTHEHEN NË BIBLIOTEKA TË VOGLA
Në jug të Romës, në lagjen Vitinia, riciklimi dhe dashuria për librin shkojnë krah për krah. Kështu ...

BIBLIOTEKË NËN UJË, HËM...
Dy hotele në Kej Uest, SHBA, janë kthyer në parajsën e atyre që u pëlqen të lexojnë libra. Kur rrini...